Friday 17-05-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Cilat janë kushtet e besimit në Islam?

admin
  • Krijuar : 30-04-24
  • / 43 Lexime

1.Qeniet metafizike/dritesore: Engjejt

KONCEPTI ENGJËLL

Domosdoshmëria e besimit te engjëjt

Me aspektin e tyre të ndërtimit jomaterial që mund të perceptohet me anë të shqisave tona të jashtme, engjëjt janë qenie që i përkasin botës së padukshme e të fshehtë. Prandaj, për engjëjt merret njohuri jo me anë të ndijimeve, por me informacionet e dhëna nga Profetët.

Në librin e Tij të zbritur Profetit të fundit, Muhamedit (s.a.s.), na bën fjalë për engjëjt dhe e përmend besimin për ekzistencën e tyre mes bazave të besimit:

“I Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga ana e Zotit të tij, po kështu, edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij!” (Bekare, 2/285)

Personi që nuk u beson engjëjve, ngaqë mohon konkluzionin e ajeteve përkatëse, nuk quhet se ka besuar. Në fakt, të mos u besosh engjëjve, do të thotë t’i mohosh anasjelltas komunikimin hyjnor dhe zbulesën hyjnore, Profetin, librin e sjellë nga Profeti dhe fenë e kumtuar prej tij. Sepse feja u është komunikuar Profetëve me ndërmjetësinë e engjëjve. Kështu, në Kuran thuhet:

“… Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (Nisa, 4/136)

2.Profetesia

KONCEPTI PROFET 

Fjala arabisht resul do të thotë prijës, përfaqësues i dërguar. Kurse në terminologjinë fetare, quhet përfaqësuesi i Allahut i zgjedhur prej Tij ndër njerëzit, robtë e Tij, i nderuar me vahjin ose komunikimin hyjnor dhe i ngarkuar me detyrën për t’u përcjellë njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Tij.

Resul ose mursel quhet profeti i dërguar te njerëzit me një libër të ri dhe me një legjislacion të ri. Shumësi i këtyre fjalëve është rusul dhe murselun. Një tjetër fjalë që në Kuran shpreh kuptimin profet, është fjala nebi. Edhe nebiu është përfaqësuesi i Allahut i dërguar te njerëzit për t’u njoftuar atyre urdhrat dhe ndalimet e Allahut, ndërkaq, i papajisur me libër dhe legjislacion të ri, por i ngarkuar me detyrën për të vazhduar kumtimin e librit dhe legjislacionit të dërguar me anë të profetit paraardhës. Shumësi i kësaj fjale është enbija. Fjalët risalet dhe nubuvvet që janë paskajore, kanë kuptimin profetësí ose institucioni profetik.

Domosdoshmëria e besimit te Profetët

Besimi te Profetët është një ndër gjashtë bazat e besimit. T’u besosh profetëve do të thotë të besosh se ata janë zgjedhur dhe dërguar nga Allahu dhe se të gjitha njohuritë e marra prej tyre nga Allahu janë të vërteta e të drejta.

Allahu ua ka bërë muslimanëve farz që t’u besojnë të gjithë Profetëve pa dallim:

“I Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga Zoti i tij, edhe besimtarët. Të gjithë u besuan Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij (dhe thanë): “Ne nuk bëjmë dallim mes të dërguarve!..” (Bekare, 2/285)

Kurse në një ajet tjetër, Kurani ka bërë të ditur në mënyrë të hapur se besimi te disa Profetë dhe mosvërtetimi i të tjerëve është mohim (kufr):

“Ata që mohojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe që dëshirojnë të ndajnë Allahun nga të dërguarit e Tij, duke thënë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë”, duke dashur që kështu të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, (mes besimit dhe mohimit), pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur dënim poshtërues për mohuesit. (Nisa, 4/150-151)

3.Librat hyjnor derguar njeriut

Koncepti libër hyjnor

Kuptimi leksikor i fjalës arabishte kitab është “shkruaj” dhe “dokument i shkruar”. Kurse në terminologjinë fetare, “kitab quhet tërësia e fjalëve që Allahu ua ka komunikuar Profetëve për të bërë të ditur se ç’kërkon prej robve të vet dhe për t’u treguar atyre rrugë në këtë drejtim, si dhe forma e shkruar e fjalëve të Tij”.

Librat e zbritur për Profetët quhen libra hyjnorë sepse janë dërguar nga ana e Allahut, pra, kanë prejardhje hyjnore, sepse në fjalët dhe përmbajtjen e tyre nuk ka asnjë kontribut njerëzor. Ngaqë librat hyjnorë janë të zbritur nga lartësia e Allahut, quhen kutubu munzeleose libra qiellorë.

Domosdoshmëria e besimit te librat hyjnorë

Një ndër bazat e besimit është edhe besimi te librat hyjnorë. Besimi te librat hyjnorë është një ndër kushtet për t’u quajtur musliman. Kuptimi i besimit te librat hyjnorë është besimi se disa Profetëve u janë zbritur libra nga ana e Allahut dhe pranimi pa bërë dallim se përmbajtja e plotë e këtyre librave – me formën origjinale me të cilën janë zbritur – është e drejtë dhe e vërtetë[1]. Ajeti në vijim i Kuranit bën të ditur se besimi te librat e zbritur nga Allahu është një nga bazat e besimit dhe se ata që i mohojnë këta, janë persona që janë shmangur dhe larguar në kuptimin e vërtetë të fjalës nga e vërteta: “O ju që keni besuar! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka dalë nga rruga e drejtë!” (Nisa, 4/136)

Edhe Profeti ynë, besimin te librat hyjnorë e ka përmendur mes bazave që duhen besuar nga çdo musliman. Në hadithin e njohur Xhibril ku radhiten bazat e besimit dhe në hadithet e tjerë, Profeti u ka bërë të ditur njerëzve hapur se u duhet besuar edhe librit të zbritur atij vetë, domethënë, Kuranit, edhe librave qiellorë të dërguar para tij[2].

Librat hyjnorë dhe llojet e tyre

Librat hyjnorë, në përgjithësi, sipas vëllimit dhe madhësisë së popullatës që i janë drejtuar, vlerësohen në dy grupe: fletë (suhuf) dhe libra (kitab).

  1. a) Fletët

Janë libra të vegjël dhe broshura të përbëra prej disa fletësh të zbritura popullatave të vogla në kuadër të ngushtë, të mjaftueshme për t’u dhënë përgjigje nevojave të tyre. Në Kuran bëhet fjalë për fletët e para të zbritura Profetëve[3]. Veçanërisht, në Kuran bëhet fjalë për fletët e dërguara Profetit Ibrahim[4] dhe për librat e dhënë Profetëve të ardhur nga soji i tij, si Is’haku, Jakubi, Sulejmani, Jusufi dhe Zekerija (alejhimus selam), gjë që mbështet ekzistencën e librave të vegjël në formë fletësh.[5] Në Kuran nuk është thënë se cilëve Profetë veç këtyre u janë dhënë fletë.

Nga Profeti ynë (s.a.s.) është përcjellë se Ademit (a.s) i janë dhënë 10 fletë, Shitit (a.s) 50 fletë, Idrisit (a.s) 30 fletë dhe Ibrahimit (a.s) 10 fletë.[6]

Në fletët e dhënë Profetëve ka pasur tema që janë baza e të gjitha feve, si besimi në Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë, ahireti ose jeta e pasme është e përhershme dhe më e dobishme se kjo jetë, arritja e shpëtimit me anë të namazit, respekti, këshillat dhe predikimi, etj.

  1. b) Librat

Librat, që janë më të vëllimshëm se fletët dhe të lidhur, që përmbajnë mesazhe universale dhe përmenden me një emër të përveçëm, janë katër: Teurati, Zeburi, Ungjilli dhe Kurani.

Teurati: Teurati që është një fjalë hebraishte, do të thotë “ligj, legjislacion dhe doktrinë”. I është zbritur Profetit Musa (a.s). Besimi se origjinali i këtij libri është fjalë e Allahut, është detyrim (farz) për çdo musliman; mohimi i kësaj e çon personin në mohim (kufr). Në Kuran bëhet e ditur hapur se Teurati është një ndër librat e shenjtë të Allahut:

“Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë!” (Maide, 5/44

Sot njihen tre ekzemplarë të Teuratit, të emërtuar Testamenti i Vjetër: ekzemplari hebraisht i pranuar nga hebrenjtë dhe protestantët, ekzemplari greqisht i pranuar nga kishat e krishtere të Romës dhe të Lindjes dhe ekzemplari samaritan i pranuar nga samaritanët.

Zeburi: Zebur[7] që në hebraishte do të thotë “letër e shkruar”[8] dhe, në arabishte, “libër”, është emri i librit hyjnor të zbritur Profetit Daud (a.s). Në lidhje me këtë specifikë, në Kuran thuhet: “Dhe Daudit i dhamë Zeburin.” (Isra, 17/55)

Besimi se Zeburi në formën me të cilën është zbritur, është fjala e Allahut, është nga bazat e besimit.

Ungjilli: Ungjilli që, si fjalë, do të thotë “përgëzim, doktrinë”, është emri i librit të shenjtë të zbritur Profetit Isa (a.s). Besimi edhe i këtij libri me formën e zbritur Isait (a.s) nga Allahu është nga domosdoshmëritë e besimit. Lidhur me këtë libër hyjnor, në Kuran thuhet kështu:

“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut!” (Maide, 5/46) 

4.Kaderi

Besimi te Kaderi – Liria e Njeriut

Nuk është e drejtë ta shohësh bazën besimore të besimit te kaderi në Islam si në kundërshtim me lirinë e njeriut, sepse të thuash se një musliman beson te kaderi,  në parim do të thotë se ai beson se çdo gjë ekziston me dijen, dëshirën, fuqinë dhe aktin krijues të Allahut, se nuk ka krijues tjetër veç Allahut. Besimi te kaderi s’do të thotë mohimi përgjegjësisë tek njeriu, sepse Islami na kërkon edhe të pranojmë një Qenie të Lartë që zotëron vullnetin e përgjithshëm dhe fuqi dhe që e ka krijuar gjithësinë, edhe se Ai i ka krijuar njerëzit si qenie me vullnet, edhe të pranojmë se mirësia dhe ndëshkimi janë ngritur mbi këtëvullnet[1]. Kështu, besimi te kaderi dhe te parimi I zgjedhjes bëhen bashkë. Pyetjes nëse besimi I muslimanëve te kaderi bie në kundërshtim me mundësinë e tyre për të bërë zgjedhje me vullnetin e tyre të lirë, I ndjeri Ahmed Hamdi Akseki I është përgjigjur kështu në veprën e tij “Mësime morali”:

“Edhe nëse ka që e shohin besimin e muslimanëve te kaderi dhe kadaja në kundërshtim me parimin e zgjedhjes (e lirisë së vullnetit), kjo mendësi është kategorikisht e gabuar. Pasi të kuptohet ashtu siç duhet se ç’është besimi te kaderi në Islam, do të kuptohet lehtësisht sa të gabuara janë mendime të tilla. Sepse të thuash që një musliman I beson kaderit, në fakt do të thotë që pranon se krijuesi I të mires dhe të keqes është Allahu. Pra, muslimani I beson edhe Krijuesit të gjithësisë, zotërues të madhështisë dhe fuqisë, dhe vullnetit të përgjithshëm që I përketAtij, edhe ekzistencës së vullnetit të pjesshëm të dhënë atij si bazë dhe partner të përgjegjësisë së vet. Feja islame na I meson që të dyja këto. Nisur nga kjo, pranimi nga njerëzit I një vullneti hyjnor absolute dhe të përgjithshëm në gjithësi, nuk e asgjëson vullnetin e tyre të pjesshëm që është elementi esencial I përgjegjësisë së tyre![2]

Shkurt, Zoti, në çdo punë të të cilit ka urtësi dhe drejtësi, i ka dhënë njeriut njëvullnet me qëllim që të mos kërkojë pretekste në gabimet dhe të metat e veta dhe që t’I bëhet njeriut burim për mirësi dhe mëkate. Ky vullnet quhet vullnet I pjesshëm ose mundësi zgjedhjeje e pjesshme. Ja, pra, mundësia zgjedhëse e pjesshme që do të thotë të zgjedhësh, të duash të vësh qëllim dhe të tregosh vendosmëri për arritjen e tij, i del përballë njeriut I cili kërkon t’ia ngarkojë gabimin kaderit, dhe I thotë: “Je përgjegjës, sepse ti je që bëre zgjedhjen!”

5.Jeta e pafundme pas vdekjes

KONCEPTI AHIRET

a) Kuptimi leksikor i fjalës ahiret

Fjala ahiret është femërorja e emrit foljor ahir me prejardhje nga rrënja ehr. Kjo fjalë që është mbiemër me kuptimin i pasëm si antonim i fjalës i evvel, i përparëm, e ka shumësin evahir.

Bëhen dy shpjegime për emërtimin ahiret. Sipas shpjegimit të parë, ahiret quhet bota e pasme e cila vjen pas jetës së kësaj bote. Sipas shpjegimit të dytë, bota ku ndodhemi bashkë me të gjitha qeniet në të dhe dimensioni jetësor që na rrethon aktualisht, quhet “e tashme” (dynja), kurse bota tjetër pas kësaj, quhet “e pasme, e pastajme” (ahiret).

b) Kuptimi terminologjik fetar i fjalës ahiret

Fjala ahiret është përdorur në Kuran si emërtim i një dimensioni të ri jetësor të pafund pas jetës së kësaj bote. Këtë e tregon fakti që për jetën e parë është përdorur fjala “úlá” (e para, e tashmja), kurse për jetën e dytë, fjala “áhir” (i pasmi, e pasmja)[1].

Në veprat e kelamit, apologjetikës islame, termi ahiret është përkufizuar kështu: Ahireti është jeta e dytë që do të fillojë pas shpërthimit të kiametit dhe do të vazhdojë pafundësisht, ku përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallje (ba’th), grumbullim (hashr), llogaridhënie (hesap), peshore (mizan), ndërmjetësim për falje (shefaat), ura (sirat), parajsë (xhenet), ferr (xhehenem). Në fakt, me vdekjen e një njeriu, fillon për të ahireti i tij, i cili vazhdon pafundësisht. Sipas kësaj, ndërsa një pjesë e njerëzve jetojnë dimensionin jetësor të kësaj bote, një pjesë tjetër kanë hyrë dhe ndodhen në dimensionin jetësor të ahiretit.

6.Allahu (xh.sh.) – Qenia më e lartë që ka krijuar gjithësine dhe administron atë

KUPTIMI I FJALËS SË LARTË “ALLAH”

Lidhur me fjalën e lartë ‘Allah’, duke marrë për bazë deklaratat e Allahut me të cilat Ai ua ka bërë të njohur veten njerëzve, robve të vet, dijetarët muslimanë kanë thënë kështu: “Allah është emri i qenies më të lartë me ekzistencë në vetvete (vaxhibul vuxhud – qenie e domosdoshme) dhe të denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet. Cilësimi kushtëzues “ekzistent në vetvete” në këtë përkufizim shpreh faktin se mosekzistenca e Allahut nuk mund të mendohet, se, për të ekzistuar, Ai s’ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e një qenieje tjetër, për rrjedhojë, se Ai është krijuesi, drejtuesi dhe administruesi i gjithësisë. Kurse cilësimi kushtëzues “i denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet” tregon se Allahu zotëron emra dhe atribute që shprehin përsosmëri dhe transcendentalitet. Në tekstet islamike, fjala e lartë Allah ka ardhur duke u përdorur qysh në krye të herë si emër i posaçëm dhe i përveçëm i të adhuruarit (qenies që i bëhet falje, lutje e adhurim) të vërtetë dhe i krijuesit të vetëm. Për këtë shkak, ky emër nuk i është dhënë ndonjë qenieje tjetër veç Tij, si dhe në gjuhën e kombeve muslimane nuk është përdorur në ndonjë mënyrë në shumës.

KUPTIMI I BESIMIT TE ALLAHU

Besimi te Allahu, qenia e vetme dhe më e lartë që e ka krijuar gjithësinë, që e administron dhe të Cilit i bëhet falje, lutje e adhurim, është e para dhe themelorja e bazave të besimit. Në të gjitha fetë hyjnore, ekzistenca dhe uniteti i Allahut (Zotit të gjithësisë) është bërë baza besimore më e rëndësishme, sepse të gjitha bazat fetare mbështeten mbi besimin te Allahu dhe parimin e unitetit të Tij.

Kuptimi i besimit te Allahu do të thotë:

– besim se Ai ekziston dhe është një;

– besim se Ai zotëron atribute të larta dhe transcendentale;

– besim se Ai s’ka të bëjë me asnjë cilësi dhe ngjashmëri që bën aluzion për mangësi dhe të metë.

Njohja e Allahut është synimi i krijimit tonë dhe qëllimi final i natyrës sonë. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30/30)

Njeriu është krijuar për ta njohur Zotin e tij që e ka krijuar, për ta besuar dhe për ta adhuruar Atë. Në ajetin Kuranor, për këtë specifikë është tërhequr vëmendja në këtë mënyrë: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit që të më njohin vetëm Mua si Zot dhe vetëm Mua të më falen e të më adhurojnë!” (Dharijat, 51/56)

Këtu Allahu, duke ua tërhequr vëmendjen njerëzve dhe xhindëve që i quajnë për Zot gjërat veç Allahut, thotë: “Unë i krijova ata jo për t’iu falur të tjerëve, por për të më adhuruar mua!” Shkaku që këtu flitet vetëm për njerëzit dhe xhindët ndërsa Allahu ka krijuar tërë gjithësinë, është ky: të gjitha qeniet në gjithësi janë vazhdimisht në gjendje faljeje, lutjeje dhe adhurimi ndaj Allahut. Kjo gjendje nuk është për ta e zgjedhshme dhe e vullnetshme, kurse njerëzve dhe xhindëve u është dhënë e drejta e zgjedhjes dhe e vullnetit. Ata duhen parandaluar që të mos drejtohen nga sendet e tjera duke rënë, kështu, në politeizëm.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame