Policia franceze është në kërkim të një burri të dyshuar për vrasjen e një besimtari mysliman brenda një xhamie në jug të vendit, ndërkohë që ai e filmoi krimin me telefonin e tij dhe shau Islamin gjatë aktit.
Besimtari u ther për vdekje mëngjesin e së premtes në fshatin La Grand-Combe, në rajonin Gard, në jug të Francës. Vrasësi ishte ende në arrati ditën e shtunë, konfirmoi prokurori rajonal Abdelkrim Grini për AFP.
Motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë, por pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se i dyshuari ka ofenduar “Allahun”, duke përdorur sharje për Zotin, sipas një burimi të afërt me hetimet.
I dyshuari e dërgoi videon që kishte filmuar me telefon, ku viktima shfaqej duke u munduar të mbijetonte, te një tjetër person, i cili më pas e shpërndau videon në një rrjet social përpara se ta fshinte.
Sipas një burimi tjetër që ka kërkuar të mbetet anonim, i dyshuari është një shtetas francez me origjinë boshnjake.
“Individi po kërkohet në mënyrë aktive. Rasti po trajtohet me shumë seriozitet,” deklaroi prokurori Grini.
Ai shtoi se të gjitha pistat po merren parasysh, përfshirë edhe mundësinë që të bëhet fjalë për një akt me sfond islamofob, dhe konfirmoi se zyra e prokurorit kundër terrorizmit po shqyrton nëse do të marrë në dorë çështjen.
Ngjarja ndodhi kur viktima dhe autori ishin vetëm në xhami. Fillimisht, i dyshuari fali namaz pranë viktimës, por më pas e qëlloi me thikë deri në 50 herë përpara se të largohej nga vendngjarja.
Trupi i viktimës u gjet vetëm disa orë më vonë, kur besimtarët e tjerë mbërritën për faljen e së premtes.
Sipas prokurorit, viktima ishte një i ri 23–24 vjeçar, që frekuentonte rregullisht xhaminë. Ndërsa vrasësi nuk ishte parë kurrë më parë në atë xhami.
Dëshmitarë të ndryshëm që folën për AFP thanë se viktima ishte një i ri nga Mali, që kishte ardhur në Francë disa vite më parë dhe ishte “shumë i njohur” në fshat, ku gëzonte respekt të madh nga komuniteti.