Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI e RMV) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anulon vendimin e Qeverisë për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” në Shkup. Sipas BFI-së, themelimi i medresesë është bërë në mënyrë të ligjshme dhe transparente, me miratime nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit.
BFI ka paralajmëruar se do të analizojë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese sapo të marrë vendimin zyrtarisht dhe do të ndërmarrë hapa juridikë. Gjithashtu, është iniciuar një procedurë ligjore për të sfiduar nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili ndalon mësimin fetar në shkollat e mesme, me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën që garanton të drejtën për arsim fetar në shkolla fetare.
BFI thekson se ky vendim përbën vazhdimësi të diskriminimit ndaj nxënësve të Medresesë, e cila është themeluar që në vitin 1984, por garanton se do të vazhdojë përpjekjet për zyrtarizimin dhe akreditimin e saj në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe faktorët ndërkombëtarë. / bota-islame.com
