Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Reagim i fortë nga pesë komunitetet fetare: Familja shqiptare në rrezik nga projektligji i barazisë gjinore

admin
  • Krijuar : 23-09-25
  • / 5185 Lexime

Komunitetet fetare në Shqipëri kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke shprehur shqetësimet e tyre ndaj disa neneve dhe përkufizimeve të projektligjit “Për barazinë gjinore”. Në mbledhjen e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, të zhvilluar më 23 shtator 2025, drejtuesit e pesë komuniteteve fetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e mbrojtjes së familjes tradicionale dhe respektimit të parimeve teologjike.

 

Sipas tyre, përkufizimi i termit “gjini” si koncept gjithëpërfshirës, si dhe përdorimi i nocioneve “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim. Komunitetet fetare kërkojnë që përkufizimi i gjinisë në projektligj të lidhet qartë me gjininë e përcaktuar në lindje, burrë, grua, vajzë, djalë, duke theksuar se kjo qasje nuk bie ndesh me procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

Më poshtë deklarata e plotë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:

#Deklaratë për shtyp

Komunitetet fetare në Shqipëri vlerësojnë rëndësinë e barazisë në përfshirjen sociale dhe në mosdiskriminim, sepse kjo pasqyron barazinë e dinjitetit, që të gjithë njerëzit kanë përpara Zotit.

Nisur nga këto parime dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), pasi u njoh me projektligjin “Për barazinë gjinore”, mblodhi sot më 23 shtator 2025 Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.

Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.

Komunitetet fetare kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Njohja tradicionale e dy gjinive nuk përbën pengesë për këtë proces – fakt që reflektohet edhe në praktikat e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të përdorin një përkufizim binar burrë–grua.

Me dëshirën që këto shqetësime të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, riafirmojmë angazhimin tonë për dialog dhe bashkëpunim në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për brezat e rinj, duke u mbështetur në besimin te Zoti dhe respektin për ligjin.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame