Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

KULLA NË MES TË SHKODRËS: REAGON KMSH, PO NA ZAPTOHET NGA OLIGARKËT ME NDIHMËN E SHTETIT TOKA VAKËF

admin
  • Krijuar : 14-10-25
  • / 9299 Lexime

Tiranë, 14 tetor 2025 – Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagon për shkeljen e pronës vakëf në Shkodër

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka dalë me një deklaratë publike, duke shprehur “indinjatën dhe shqetësimin e thellë” për ndërtimin e kullës “Rozafa Tower” mbi një pronë vakëf në qytetin e Shkodrës, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave shqiptare që e njohin këtë pronë në favor të KMSH-së.

Sipas deklaratës, “ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit, një cenim të së drejtës së pronësisë dhe një akt mosrespektimi ndaj institucioneve fetare dhe trashëgimisë vakëf.”

KMSH kujton se që prej vitit 1996, prona ka qenë subjekt i një procesi të gjatë gjyqësor dhe administrativ. Me vendimin nr. 1586 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër, ajo është njohur në favor të Komunitetit Mysliman, me të drejtë parablerjeje të objektit të ndërtuar mbi truallin vakëf. Vendime të mëvonshme të Gjykatës Kushtetuese (1999) dhe të Gjykatës së Lartë (nr. 00.2014.3003(316), datë 24.04.2014) kanë konfirmuar përfundimisht pronësinë ligjore të KMSH-së, Kishës Orthodhokse dhe familjes Laçej.

Megjithatë, institucionet shtetërore – përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Zyrën e Përmbarimit Shkodër dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës – akuzohen se kanë lejuar ndërhyrje të paligjshme mbi pronë dhe kanë injoruar vendimet e gjykatave, duke hapur rrugë për ndërtimin e kullës.

“Moszbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale, që minon shtetin e së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet,” thuhet në reagimin e KMSH-së.

Institucioni fetar kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të organeve shtetërore për ndalimin e çdo veprimi ndërtimor mbi truallin vakëf dhe hetimin e zyrtarëve përgjegjës për shpërdorim detyre.

KMSH siguron besimtarët se do të vijojë betejën ligjore deri në fund: “Nëse e drejta vijon të cenohet, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar zbatimin e vendimeve dhe dëmshpërblimin për shkeljet e përsëritura.” / bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame