Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Gaza, në sofrën e ujqërve! Një këndvështrim tjetër mbi samitin e paqes së Gazës në Egjipt.

admin
  • Krijuar : 14-10-25
  • / 7990 Lexime

Islamistët politikë e mallkuan për vite të tëra marrëveshjen “Camp David”. Nuk lanë asnjë fjalë pa thënë për Enver Sadatin. Madje e quajtën edhe “Faraoni i epokës”.

“Si mund të bënte marrëveshje me Izraelin?” – thoshin.

Presidenti amerikan Carter, në njërën anë të tij kishte Menahim Begin-in, në anën tjetër Enver Sadatin…

Një tjetër foto që i tregon tre liderët në tryezë, duke nënshkruar së bashku marrëveshjen.

A mund ta ketë harruar Erdoğan “Camp David”-in, që lëvizja politike nga e cila ai doli e ka quajtur “tradhti”?

Nuk besoj.

Nuk është një imazh që fshihet kaq lehtë…

Ishte sërish një vjeshtë. 17 shtatori…

Kanë kaluar 47 vjet që atëherë…

Sadat dhe Begin morën së bashku Çmimin Nobel për Paqe atë vit. Ndërsa bota islame përjetonte një zhgënjim të thellë, Perëndimi duartrokiste aktorët e Camp David-it. Arkitekti i marrëveshjes, Jimmy Carter, jetoi gjatë; vdiq vitin e kaluar në moshën 100-vjeçare.

Radikalët e Islamit politik të Egjiptit nuk e falën kurrë Enver Sadatin. Në vjeshtën e vitit 1981, ai u vra në një ceremoni zyrtare. Sadati e pagoi me jetën e tij çmimin e Camp David-it, tre vjet pas marrëveshjes.

Prej disa ditësh, në mendjen time sillen vazhdimisht pamjet e Camp David-it.

Arsyeja është e qartë…

Gaza ka rënë në sofrën e ujqërve.

Sërish Shtetet e Bashkuara janë në skenë…

Trump, që prej ditës që u zgjodh, po punonte mbi një plan. Fillimisht do të arrihej “armëpushimi dhe paqja”, pastaj do të luhej me identitetin e Gazës. Netanyahu tha “po” marrëveshjes, dhe bindja e Hamasit iu ngarkua Erdoğanit. Sigurisht, nuk duhet harruar as roli i Sisit.

Dhe kështu doli në dritë një “marrëveshje Trump”. Por nenet e marrëveshjes nuk ishin “të pranueshme” për Gazën dhe Palestinën. Një “po” e detyruar dhe pa dëshirë, ndoshta… Sepse nuk kishte asnjë rrugë tjetër, asnjë dalje tjetër.

“Marrëveshja e Gazës” ishte shumë prapa “Deklaratës së Nju Jorkut”, e përgatitur disa muaj më parë nën udhëheqjen e Francës dhe Arabisë Saudite, dhe e miratuar nga 146 shtete në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në të nuk përmendeshin as kufijtë e vitit 1967, as Jerusalemi… Madje as shprehja “zgjidhje me dy shtete” nuk ishte përfshirë.

Trump e shpalli marrëveshjen si “fitoren e Izraelit.” Ndalesa e tij e parë ishte Tel Avivi. Ai foli në parlamentin izraelit, Knesset. Lavdëroi pa masë Netanyahu-n. Madje e bëri të ngrihej dhe të duartrokitej në këmbë njeriu që quhej “Kasapi i Gazës.” Vetëm dy deputetë me ndërgjegje ngritën pankarta proteste.

Trump tha: “Tani është koha që këto fitore të arritura në fushën e betejës t’i shndërrojmë në një çmim paqeje dhe mirëqenieje për Lindjen e Mesme.”

Çfarë fitoreje? Ajo që ndodhi në Gazë nuk ishte luftë, por masakër. Madje gjenocid. Lufta zhvillohet mes ushtarësh. Në Gazë u bombarduan shtëpi, spitale, shkolla. U hodhën bomba mbi njerëzit që dilnin në rrugë për të kërkuar ndihmë.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 67 mijë njerëz humbën jetën. 500 fëmijë vdiqën nga uria. OKB-ja u detyrua të japë “paralajmërim për uri” për Gazën. Numri i të plagosurve arriti në rreth 200 mijë, ndërsa ata që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre kapërcyen milionin.

Nëse kjo quhet luftë, është një luftë njëanshme. Por kurrsesi nuk mund të flitet për një fitore. Të quash këtë “fitore” është si të quash Holokaustin e Hitlerit ndaj hebrenjve një fitore.

Sado që të përpiqet të shtrembërohet realiteti, ajo që ndodhi në Gazë është masakër dhe kjo nuk mund të mbulohet kurrë. I vetmi përgjegjës nuk është Netanyahu. Edhe administrata e Trump-it është bashkëfajtore. Ajo i dha çdo lloj mbështetjeje. Madje Trump vetë e pranoi: “Izraeli fitoi me forcën e armëve çdo gjë që mund të fitonte falë mbështetjes sonë.”

Sikur të mos kishte pasur pas vetes një fuqi si SHBA-të, Netanyahu nuk do të kishte qenë kaq i pafre. Ai u mbështet te Trump dhe e shndërroi Gazën në gërmadhë.

Kjo marrëveshje ka edhe një anë të Gazës. Trump, pas Tel Avivit, shkoi në Egjipt. Nuk u ndal në Gazë. Nuk i dha asnjë përshëndetje autoritetit palestinez. E injoroi Mahmud Abbasin.

Mirë, Trump mund ta ketë anashkaluar Gazën. Por a nuk mund të shkonte ndonjëri nga liderët që vrapuan drejt Egjiptit për nënshkrim në Gazë apo Jerusalem?

Për shembull, pse Erdogan nuk e uli avionin e tij në Gazë, në atë vend ku dikur tha: “Unë do të shkoj i pari”? Përveç premtimit që kurrë nuk e mbajti për Gazën, a nuk do të kishte pasur kuptim një vizitë e tillë para nënshkrimit të marrëveshjes?

Të shkosh në Egjipt është e lehtë, sigurisht. As Erdogan, as ndonjë lider tjetër, nuk e çoi ndër mend të ndalonte në Gazë. Ky është një turp për liderët myslimanë…

Së bashku me Turqinë, tetë vende islame — Egjipti, Arabia Saudite, Katari, Pakistani… Asnjëri nuk u dëgjua të kundërshtonte. Askush nuk vuri asnjë shënim, asnjë rezervë. Të gjithë vendosën nënshkrimin nën tekstin që Trump e quajti “fitorja e Izraelit”.

Trump e lavdëroi shumë Erdoganin: “Bëri punë të mrekullueshme!” – tha. Po cilat ishin ato punë të mrekullueshme? Të bindte Hamasin për një marrëveshje turpi?

Unë do të doja ta shihja Erdoganin duke kundërshtuar marrëveshjen, duke kërkuar përfshirjen e kufijve të vitit 1967 dhe të Jerusalemit në tekst, duke e mbrojtur nderin e Gazës, dhe duke i thënë “jo” Trumpit. Por ishte një zhgënjim i madh. Thonë se “avioni e kaloi pistën pa u ulur”… Se Erdogan kundërshtoi pjesëmarrjen e Netanyahu-t… Se kishte thënë: “Nëse ai vjen, unë s’jam.” Paska qenë “One Minute” e dytë! Ç’rëndësi ka nëse Netanyahu erdhi apo jo? Për të mos e parë që fryma e Netanyahu-t endet në çdo rresht të tekstit, njeriu duhet ta ketë humbur ose mendjen, ose ndërgjegjen.

Nga këtu nuk mund të lindë heroizëm.

Nënshkrimi i hedhur mbi një tekst turpi nuk mund të fshihet me lojëra të tilla, dhe Abdulkadir Selvi e nxori në shesh të vërtetën: shkroi se avioni “e kaloi pistën për arsye teknike. Për AKP-në dhe për rrethin e saj, e rëndësishme nuk është e vërteta, por propaganda.

A mendoni vërtet se Izraeli do të ndalet? Se Netanyahu do të heqë dorë nga plani për Gazën? Mos u mashtroni nga disa gjeste simbolike. Ajo që bëri me armë, tani do ta vazhdojë me mjete të tjera — kjo është e sigurt. Pa u kërkuar llogari Netanyahu-t për masakrën apo gjenocidin në Gazë, nuk mund të flitet për paqe. Ndoshta një armëpushim i përkohshëm… Por a do të zbatohet në terren? Është e dyshimtë dhe e pasigurt.

Trump tha: “E zgjidha problemin tre mijëvjeçar.” Por problemi i Lindjes së Mesme nuk është vetëm Gaza. Gaza është vetëm një pjesë e çështjes palestineze. Nuk është diçka kaq e thjeshtë dhe sipërfaqësore. Më habisin liderët që i besojnë administratës së Netanyahu-t. Më së shumti udhëheqësit e vendeve islame, dhe veçanërisht Erdoganin.

A nuk nxori mësim as nga Camp David-i? A nuk mori asnjë shembull? Si nuk e kupton se historia një ditë do t’i vendosë ato dy foto përkrah njëra-tjetrës? Sigurisht, edhe ai ka një “mëkat të brendshëm për Gazën.” Një damar që ia ka verbuar sytë dhe ia ka vulosur zemrën…

Duhet të jetë ajo rrjedhë që e ka tërhequr… 

Përndryshe, si është e mundur që dikush që e ka kaluar rininë nën retorikën e “tradhtisë së Camp David-it”, të vrapojë drejt Egjiptit të Sisit, të hyjë nën krahët e Trumpit – njërit prej përgjegjësve për Gazën – dhe të vendosë nënshkrimin e tij mbi një tekst që ndërgjegjet e refuzojnë? / Opinion nga Necip Bahadir

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame