Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Përshkallëzohet konflikti midis Myftinisë dhe Bashkisë Shkodër

admin
  • Krijuar : 10-11-25
  • / 11322 Lexime

Punime ndërtimore në pronë vakëf ndezin tensione mes institucioneve

Në Shkodër, marrëdhëniet mes Myftinisë dhe Bashkisë janë tensionuar ndjeshëm pas ndërhyrjeve të fundit në një pronë vakëf që i përket Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftinia Shkodër. Konflikti ka marrë përmasa publike, duke rikthyer në vëmendje çështjen e trajtimit të pronave fetare dhe respektimit të autonomisë së komuniteteve besimtare.

Si nisi gjithçka

Burime nga Myftinia Shkodër bëjnë të ditur se përplasja nisi pas reagimit ndaj një ndërtimi multifunksional, i ngjashëm me kullat e zakonshme që po shfaqen tashme gjithnjë e më tepër në Shqipëri, i cili po ngrihet në një pronë vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Sipas Myftinisë, kjo pronë është objekt procesesh gjyqësore të hershme, ku palë të interesuara janë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse dhe familja Laçej. Megjithëse pronësia ende nuk është zgjidhur përfundimisht, Bashkia Shkodër ka lëshuar leje ndërtimi, duke u pozicionuar, sipas Myftinisë, “në krah të dhunuesit të pronës”.

Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kërkuar zyrtarisht pezullimin e punimeve përmes një mase sigurie në gjykatë.

Në përpjekje për të sensibilizuar opinionin publik, Myftinia vendosi në një prej rrugëve të qytetit në një lightbox me një thënie profetike, ku shkruhej:

Kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, në Ditën e Kiametit Allahu ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë.

Ky veprim, me karakter ndërgjegjësues, u pasua nga një ndërhyrje e policisë bashkiake, e cila e hoqi plotësisht lightboxin së bashku me mbishkrimin.

Pas këtij episodi, Myftinia Shkodër reagoi duke larguar punonjësit e Bashkisë nga punimet rehabilituese që po kryheshin në oborrin e Xhamisë Parrucë.

Kujtojmë se mes Bashkisë dhe Myftinisë Shkodër ekzistonte një dakordësim paraprak, sipas të cilit hapësira përreth xhamisë, përfshirë edhe pjesën që më parë përdorej si parkim nga Myftinia, do të shndërrohej në një zonë rekreative publike. Në këmbim, Myftinisë do t’i kalohej godina e ish-tatim-taksave, ngjitur me kompleksin në fjalë.

Pas këtyre tensioneve, Myftinia ndërmori një hap tjetër sensibilizues, duke vendosur një tabelë me të njëjtin mbishkrim brenda oborrit të Xhamisë Ebu Bekir.

Ndërhyrja e forcave të rendit

Sipas burimeve të brendhme, në këtë rast policia bashkiake refuzoi të ndërhynte, duke argumentuar se nuk kishte të drejtë ligjore për të vepruar në pronë private.

Pas këtij refuzimi, kryebashkiaku i Shkodrës kërkoi ndërhyrjen e policisë së rendit, ku drejtori i saj,  tregohet i gatshëm të veprojë.

Kështu, forcat e rendit ndërhynë në pronën vakëf, duke hequr banderolën, pavarësisht rezistencës së punonjësve të Myftinisë Shkodër.

Ky veprim është cilësuar nga Myftinia si “akt dhune ndaj pronës fetare” dhe si precedent shqetësues për raportet mes shtetit dhe komuniteteve fetare.

Shpresojmë që drejtësia të bëjë punën e saj, dhe sigurisht që vlen të theksohet që problemi nuk qëndron tek një tabelë apo banderolë, por te qasja institucionale e zyrtarëve ndaj pronës private dhe vakëfeve.

Ky rast, sipas vëzhguesve, ngre pyetje të mëdha mbi trajtimin e pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri, si dhe mbi respektimin e autonomisë së tyre ligjore e morale.

Në vend të përfundimit

Ngjarjet në Shkodër nuk janë vetëm një incident lokal, por pasqyrë e një problemi më të thellë institucional: mënyra se si shteti shqiptar ndërhyn në pronat fetare, shpesh pa marrë parasysh ndjeshmërinë e tyre historike dhe shpirtërore.

Çështja mbetet e hapur dhe pritet që gjykatat të vendosin për ligjshmërinë e veprimeve, ndërsa opinion publik dhe komunitetet fetare ndjekin me shqetësim përplasjen që ka vënë përballë autoritetin vendor dhe institucionin fetar më të madh në veri të vendit. / bota-islame.com

 

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame