Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

16 Nëntor 1990 – Rilindja e Besimit dhe Thirrja që U Dëgjua nga Xhamia e Plumbit

admin
  • Krijuar : 16-11-25
  • / 6035 Lexime

Si sot, 35 vjet më parë, Shqipëria dëshmoi një nga çastet më të fuqishme të historisë së saj moderne: rikthimin e të drejtës për të besuar. Në një kohë kur shpresa ishte e shtypur dhe liria e besimit ishte e ndaluar me ligj, mijëra shqiptarë u mblodhën në oborrin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër për të shpallur një të vërtetë më të fortë se frika: Zoti nuk mund të ndalohet.

Në atë ditë historike, një ndër ikonat e ringritjes së fesë në vendin tonë, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, u kthye në tribunë shprese. Para një deti njerëzish, ai deklaroi me lot gëzimi:

Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor… sikur linda përsëri… E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban. Nuk kishte gëzim më të madh!

Këto fjalë, që tingëlluan si një ezan i lirisë, ende sot mbeten testament i një epoke sakrifice dhe rilindjeje.

 

Xhamia e Plumbit – Shenjtërorja e Rezistencës dhe Shpresës

Xhamia e Plumbit, një kryevepër e arkitekturës osmane dhe një nga simbolikat më të fuqishme të Shkodrës, u bë atë ditë jo vetëm një objekt kulti, por një ikonë e qëndresës shpirtërore të shqiptarëve.

E mbyllur për dekada, e lënduar nga harresa dhe nga regjimi ateist, ajo u bë skena e rikthimit më të madh të besimit në vendin tonë. Nën kupolën e saj të heshtur, qindra burra kishin kënduar dikur Kuran në fshehtësi, ndërsa më 16 nëntor 1990, mijëra u mblodhën për ta bërë këtë të drejtë publike dhe të pashkatërrueshme.

Fotografia e asaj dite – njerëz të ulur mbi kupola, të tjerë të ngjeshur në oborr, turma që shpërthenin nga çdo cep – është sot një monument vizual i guximit dhe i unitetit.

 

Ata që guxuan – Ata që e shkruan historinë

16 Nëntori 1990 nuk ishte vetëm hapja e një xhamie. Ishte:

  • hapja e zemrave të qindra mijëra njerëzve;
  • shpallja e fundin të një epoke të errët;
  • triumfi i atyre burrave e grave që kishin ruajtur besimin fshehur, në shtëpi, në zemër, në mallkim e në shpresë.

Për këtë arsye, sot ne përulemi me mirënjohje para:

  • Hafiz Sabri Koçit, rilindësi i Islamit në Shqipëri;
  • imamëve dhe dijetarëve që sakrifikuan jetën e tyre gjatë dekadave të ndalimit;
  • besimtarëve anonimë që ruajtën fjalën e Zotit kur ajo ishte e rrezikuar;
  • bijve e bijave të Shkodrës që u bënë pararendës të lirisë.

 

16 Nëntori – Dita e Lirisë së Besimit në Shqipëri

Kjo ditë do të mbetet gjithmonë si dëshmia më e madhe se feja, shpresa dhe identiteti nuk shuhet kurrë.

Ato mund të shtypen, të heshtin, të mbyllen me dryn, por një ditë dalin më fuqishëm se kurrë.

/bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame