Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kryeministri i Katarit mohon financimin e Hamasit: “Nuk do të paguajmë për shkatërrimin e shkaktuar nga Izraeli”

admin
  • Krijuar : 07-12-25
  • / 6443 Lexime

Doha – Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat se Doha financon Hamasin, duke theksuar se përfshirja e Katarit me këtë lëvizje ka nisur më shumë se një dekadë më parë me kërkesë të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetëm për qëllime ndërmjetësimi dhe humanitare.

Duke folur në një intervistë në kuadër të Doha Forum 2025 me komentatorin amerikan Tucker Carlson, shefi i diplomacisë katariote sqaroi se zyra e Hamasit në Doha është përdorur ekskluzivisht për komunikim dhe ndërmjetësim në proceset e armëpushimit, si dhe për lehtësimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

“Fillimi i marrëdhënieve me Hamasin ka ndodhur më shumë se dhjetë vjet më parë, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara,” deklaroi Al Thani. “Kjo zyrë është përdorur vetëm për komunikim dhe për të lehtësuar armëpushimet dhe ndihmën për Gazën.”

Kryeministri theksoi se akuzat për financim të Hamasit janë të pabazuara dhe nuk marrin parasysh mekanizmat e fortë të mbikëqyrjes që kanë shoqëruar çdo proces ndihme.

“Sot, kur pretendohet se Katari financon Hamasin, kjo nuk ka asnjë bazë,” tha ai. “E gjithë ndihma jonë ka shkuar për popullin e Gazës dhe ka kaluar nëpër një proces shumë transparent, për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë qenë plotësisht të informuara.”

Sipas kryeministrit të Katarit, edhe qeveritë izraelite në vite dhe institucionet e tyre të sigurisë kanë qenë të përfshira në koordinimin dhe miratimin e dërgimit të ndihmave në territorin palestinez.

Ai kritikoi gjithashtu fushatat politike që, sipas tij, synojnë të njollosin rolin e Katarit si një ndërmjetës kyç në përpjekjet për lehtësimin e vuajtjeve humanitare dhe arritjen e marrëveshjeve për armëpushim.

“Për vite me radhë kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme të bazuara mbi dezinformim dhe përhapje gënjeshtrash për të dëmtuar marrëdhëniet mes Katarit dhe Shteteve të Bashkuara,” u shpreh ai.

Sheikh Mohammed ritheksoi se Katari do të vazhdojë të mbështesë popullin palestinez dhe përpjekjet humanitare në Gaza, por nuk do të financojë rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga operacionet ushtarake izraelite.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin palestinez dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të lehtësuar vuajtjet e tyre, por nuk jemi ne ata që do të shkruajmë çekun për të rindërtuar atë që të tjerët shkatërrojnë,” theksoi kryeministri i Katarit.

Ai përfundoi duke nënvizuar se Katari nuk do të lejojë që palestinezët të mbeten pa ndihmë dhe mbështetje ndërkombëtare:

“Ne nuk do t’i lëmë kurrë palestinezët pa ndihmë, të braktisur apo pa përkrahje.” / bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame