Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, priti në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile nga iniciativa “Karvani Multi-Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë”, të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, z. Lulzim Peci.
Kryeimami Sahiti u shprehu mirëseardhjen mysafirëve dhe i informoi ata për përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në vend. Ai theksoi gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim duke ndarë përvojat e tyre në marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe harmonike.
Nga ana e tij, z. Peci falënderoi kryeimamin Sahiti për përkrahjen, duke theksuar se mbështetja nga Bashkësia Islame e Kosovës i jep më shumë peshë misionit të tyre. Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin për të arritur vizionin e përbashkët që Kosova të jetë një shtëpi për të gjithë qytetarët e saj.
Iniciativa “Karvani Multi-Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë” synon të nxisë dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare dhe të kontribuojë në forcimin e bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë./bota-islame.com
